“Kosova po pret” – numërimi drejt 16 shtatorit shtrihet nëpër Kosovë

Kosova po numëron ditët drejt 16 shtatorit. Në sheshet e disa qyteteve, “Ora e Pritjes” shënon kohën deri në shpalljen e planifikuar të aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Por ajo që po afrohet në Hagë shihet në Kosovë si shumë më tepër se një moment gjyqësor. Është një datë që prek drejtësinë, kujtesën e luftës dhe mënyrën se si do të rrëfehet një kapitull vendimtar i historisë moderne të Kosovës.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – Kosova po pret

Në zemër të Prishtinës, një orë po numëron mbrapsht

Ditët, orët, minutat dhe sekondat që shfaqen në ekranin e vendosur në sheshin “Nënë Tereza” çojnë drejt 16 shtatorit 2026 – ditës kur në Hagë është planifikuar të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. “Ora e Pritjes”, e iniciuar nga platforma “Liria ka Emër”, është bërë pjesë e aktiviteteve publike në mbështetje të katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ajo që nisi në Prishtinë, ndërkohë po shtrihet edhe në qytete të tjera të Kosovës. Por pritja e 16 shtatorit shkon përtej fatit personal të katër të akuzuarve. Për Kosovën, kjo datë prek njëkohësisht drejtësinë, kujtesën e luftës, rolin historik të UÇK-së dhe trashëgiminë politike të katër njerëzve që, në periudha të ndryshme, morën role të rëndësishme në rrugëtimin e vendit nga rezistenca dhe lufta deri te ndërtimi i institucioneve të shtetit.

Ora Kosova po pret

“Ora e Pritjes” – nga Prishtina në qytetet e Kosovës

Më 22 gusht, 25 ditë para shpalljes së planifikuar të aktgjykimit, në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë u aktivizua “Ora e Pritjes”. Aktiviteti u organizua nga platforma “Liria ka Emër”, me mbështetjen e Komunës së Prishtinës. Në aktivizimin simbolik të numërimit morën pjesë nënkryetarja e Prishtinës Besianë Musmurati, përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha, familjarë të të akuzuarve dhe pjesëmarrës të tjerë. Nisma zhvillohet nën mesazhin “Kosova po pret”. Por Prishtina ishte vetëm fillimi. Në ditët që pasuan, “Ora e Pritjes” filloi të vendoset edhe në qytete të tjera të Kosovës, duke e shndërruar numërimin drejt 16 shtatorit nga një aktivitet në kryeqytet në një nismë me shtrirje më të gjerë. Në Ferizaj, platforma “Liria ka Emër” organizoi vendosjen e orës në sheshin e qytetit. Më pas nismës iu bashkua Skenderaj, ndërsa në Vushtrri, “Ora e Pritjes” u vendos në sheshin “Adem Jashari”. Edhe Prizreni iu bashkua numërimit. Në sheshin “Shadërvan”, në prani të qytetarëve, përfaqësuesve institucionalë dhe organizatorëve, u aktivizua ora që numëron ditët deri më 16 shtator. Në aktivitet folën kryetari i Prizrenit Shaqir Totaj, si dhe Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli nga platforma “Liria ka Emër”. Gjatë aktivitetit në Prizren u shpalos edhe një baner me mesazhin: “NË EMËR TË POPULLIT – SHPALLENI TË PAFAJSHËM!

Nismës i është bashkuar gjithashtu Vitia, ndërsa më 31 gusht “Ora e Pritjes” nisi edhe në Malishevë. Aktivitete të tjera pritet të vazhdojnë në komunat e Kosovës. Organizatorët kanë paralajmëruar se synimi është që mesazhi “Kosova po pret” të shtrihet në sa më shumë qytete deri në ditën e aktgjykimit. Krahas “Orës së Pritjes”, platforma ka paralajmëruar edhe aktivitete të tjera, përfshirë vizita në shtatë zonat ku ka vepruar UÇK-ja dhe takime të emërtuara “Netët e Lirisë”, ku synohet bashkëbisedimi me ish-ushtarë dhe qytetarë rreth kujtimeve dhe përvojave të luftës. Kulmi i kësaj serie aktivitetesh pritet të jetë Marshi për Liri, i paralajmëruar për 12 shtator në Prishtinë, katër ditë para aktgjykimit. Në këtë mënyrë, “Ora e Pritjes” nuk numëron vetëm ditët deri te një vendim gjyqësor. Për organizatorët dhe mbështetësit e nismës, ajo simbolizon pritjen për kthimin e katër ish-drejtuesve të UÇK-së në Kosovë.

Çlirimtaret

Katër figura, tri periudha të historisë së Kosovës

Pesha që ky proces ka marrë në Kosovë lidhet edhe me faktin se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk janë vetëm ish-pjesëtarë të UÇK-së.

Veprimtaria e tyre shtrihet në tri periudha të rëndësishme të historisë moderne të Kosovës: organizimin dhe rezistencën para luftës, luftën e viteve 1998–1999 dhe ndërtimin politik e institucional të Kosovës pas përfundimit të saj.

Hashim Thaçi ishte një nga figurat kryesore politike të UÇK-së dhe drejtues i Drejtorisë Politike të UÇK-së. Në shkurt të vitit 1999 ai udhëhoqi delegacionin e shqiptarëve të Kosovës në Konferencën e Rambujesë.
Pas luftës ishte kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës. Më vonë u bë Kryeministër i Republikës së Kosovës dhe ishte në këtë detyrë më 17 shkurt 2008, kur Kuvendi shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Më pas shërbeu si ministër i Jashtëm dhe, nga viti 2016 deri në dorëheqjen e tij në vitin 2020, si President i Republikës së Kosovës.

Kadri Veseli ishte pjesë e strukturave të larta të UÇK-së dhe ishte i angazhuar në veprimtarinë e saj gjatë luftës. Pas luftës vazhdoi aktivitetin politik dhe institucional, duke u bërë më vonë kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Jakup Krasniqi ishte pjesë e Shtabit të Përgjithshëm dhe Drejtorisë Politike të UÇK-së dhe u bë një nga zërat më të njohur publikë të saj si zëdhënës gjatë luftës. Në Kosovën e pasluftës ai pati një karrierë të gjatë institucionale, përfshirë drejtimin e Kuvendit të Kosovës dhe ushtrimin përkohësisht të funksionit të Presidentit të Republikës.

Rexhep Selimi ishte një nga figurat e hershme të UÇK-së dhe pjesë e strukturave të saj drejtuese. Pas luftës vazhdoi angazhimin në strukturat e sigurisë dhe më vonë në politikë, duke shërbyer si deputet i Kuvendit të Kosovës.
Rrugët e tyre politike pas luftës nuk ishin të njëjta. Pikërisht kjo është një nga arsyet pse mbështetja aktuale ndaj tyre ka arritur të kalojë, në raste të caktuara, kufijtë tradicionalë partiakë.

Nga Rambujeja te dëshmitë e ndërkombëtarëve në Hagë

Një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë politike të Kosovës para përfundimit të luftës ishte Konferenca e Rambujesë e vitit 1999. Delegacioni kosovar, i udhëhequr nga Hashim Thaçi, zhvilloi negociata me ndërmjetësimin ndërkombëtar në përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të gjetur një zgjidhje politike për Kosovën. Më shumë se një çerek shekulli më vonë, disa nga njerëzit që kishin qenë të përfshirë në proceset ndërkombëtare rreth Kosovës u paraqitën përsëri – këtë herë si dëshmitarë të thirrur nga mbrojtja në Hagë. Mes tyre ishin ish-diplomati amerikan Christopher Hill, i përfshirë drejtpërdrejt në procesin diplomatik të Rambujesë, gjenerali Wesley Clark, ish-Komandant Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë gjatë luftës së Kosovës, si dhe ish-zyrtari i lartë amerikan James Rubin. Prania e figurave të tilla në proces riktheu në vëmendje edhe një nga debatet qendrore rreth luftës: mënyrën se si ishte e organizuar UÇK-ja, marrëdhëniet ndërmjet strukturave të saj dhe shkallën e autoritetit që individë të caktuar ushtronin në terren. Se çfarë peshe do t’u japë Trupi Gjykues këtyre dëshmive do të bëhet e qartë vetëm me aktgjykimin.

Kosova po pret Marsh per liri 12 shtator
Luftaret
Adem Jashari
lufta
kadri veseli
Protesta